Si u formua Çeta e Pezës ?, e para antifashiste e Evropë
Lidhja me Shoqatën e Pezës
Pyetjes se çfarë e lidh me një shoqatë e cila mban emrin e një komandanti të shquar, Pëllumb Luzi i përgjigjet? “Si kryetar i Shoqatës për mua garantuan themeluesit e shoqatës Skënder Peza, Sali Verdha, Qamil Poda, Sherbet Karuli, Adnan Qatipi, Idriz Shehi, etj.. Kjo për faktin sepse babai im Gani Luzi, ka qenë partizan I Grupit të Pezës, është veteran I LANÇ-it I plagosur dy herë në luftime. Një nga partizanët besnikë të Myslym Pezës. Kishin lidhje të ngushta. Kjo është arsyeja që mua më vunë gishtin, pra si djali i luftëtarit të Çetës së Pezës. Unë tanimë kam sjellë shumë gjak të ri”.
Shoqata patriotike kulturore “Myslym Peza”
“Si shoqatë kjo ka 11 vjet që është krijuar, pra me vendim gjykate në prill 1999. Shoqata edhe pse selinë qendrore e ka në Tiranë, ka dhe një shtrirje gjeografike në të gjithë trevën e Shqipërisë së Mesme. Në Tiranë është kryesia e përgjithshme, dhe pastaj vazhdojnë dega e Pezës, e Durrësit e Kavajës, e Rrogozhinës e Peqinit, e Lushnjes e Elbasanit dhe e Librazhdit. Janë 9 degë e me mbi 70 nëndegë, që do të thotë se kjo shoqatë ka depërtuar në çdo fshat të komunave. Shoqata është shumë aktive në përkujtimin e ngjarjeve jubilare që kanë të bëjnë me çetën, grupin e brigadën XXII, jo vetëm si kryesi e përgjithshme, por edhe degët. Çdo degë brenda rrafshit të vet gjeografik data përkujtimore. Kemi ndërtuar katër objekte, në Pezë të Vogël një memorial, në Pajon, në Kavajë, në Helmës, në Lekaj, ku kanë rënë Kajo Karafili, Maliq Muço, etj.”, shpjegon për “ Peza blogspot Pëllumb Luzi.
Kanë kaluar 70 vjet që nga dita kur rreth 50 burra të cilët i kishin dhënë besën njëri-tjetrit, për të luftuar pushtuesin fashist të Shqipërisë, bënë përpjekjen e parë të organizuar për të çliruar fillimisht zonën e tyre, Pezën. Në krye të aksionit të mirëorganizuar ishte një nga burrat më të fuqishëm të zonës, Myslym Peza, në krah të të cilit luftonte dhe djali i tij 15 -vjeçar, Skënderi.
Kryetari i shoqatës patriotike kulturore “Myslym Peza”, Pëllumb Luzi, 70- vjet nga krijimi i çetës së parë antifashiste të Pezës, dhe pas Konferencës së 3-të të saj, rrëfen për “Telegraf” ,se si u ngrit lufta heroike e një krahine, mbi themelet e të cilës u formua dhe vetë Ushtria Nacionalçlirimtare...
Jemi në prag të 70- vjetorit të krijimit të Çetës së Pezës. Në çfarë kushtesh bashkuan luftëtarët që formuan njësinë e pare antifashiste në Evropë?
Vetë treva e Pezës ka një histori të madhe. Kur flasim për trevë të Pezës, flasim të gjithë ambienti gjeografik ku ka shtrirë veprimtarinë e saj antifashiste Çeta e Pezës, dhe ky aktivitet shtrihen në gjithë këto treva ku është e shpërndarë shoqata. Janë treva të qeta përsa i përket konceptit mjedisor, shumë të dashur si njerëz, mikpritës e burrërorë, të thjeshtë por edhe punëtorë të përkushtuar. Komuniteti vazhdonte të jetë kompakt dhe dashamirës. Fakti që pjesa kryesore e të parëve të shtëpisë kanë qenë të inkluduar në Çetën apo Grupin e Pezës po ashtu dhe ato çetat e tjera territoriale, si në luftë, pas çlirimit e deri sot, Myslym Pesza është simbol, i burrërisë i trimërisë i shpirtmadhësisë. Ai ishte kudo pranë njerëzve.
Kishte të gjitha cilësitë e një lideri popullor. Ka qenë Gjeneral, “Hero i Popullit” dhe “Hero i Punës Socialiste”, por mbi të gjitha ishte komandant legjendar pra komandant popullor.
Kur do të datonte formimi i kësaj çete antifashiste?
Familja Peza në ato vite përbëhej nga dy vëllezërit Myslym dhe Shyqyri Peza. Ishte familje patriotike që kishte mjaft influencë të zonën e Pezës e trevat rreth saj. Kjo familje u lidh me familjet e mëdha patriote pezake si: Hakrrama, Çelmeta, Çeka, Zguraj, Pajona, Karaj. Këta i dhanë besën njëri-tjetrit në luftë kundër fashizmit. Pesë qershori i vitit 1940 njihet si data e krijimit të çetës së parë, pikërisht sepse u bë beteja e parë kundër fashistëve. Çeta, e cila kishte 50 veta drejtohej nga komandant Myslym Peza. Në këtë përpjekje ranë 5 dëshmorët e parë të Pezës dhe u plagos Skënder Peza djali i madh i Myslymit që në atë kohë ishte rreth 15 vjeç.
A mund të thuhet se, Çeta e Pezës ishte e para çetë antifashiste në Evropë?
Në fakt ajo ishte e para në Shqipëri në Ballkan dhe Evropë. U njoh si formacioni i parë antifashist. Çeta në fjalë u bë dhe tmerri i italianëve. Për të gjitha këto u referohemi dhe dokumenteve të SIM-it që ishte Shërbimi Sekret i Ushtrisë Italiane. Kjo çetë ndiqej për çdo veprim të saj edhe pse nuk i kapnin dot kuadrot e saj dhe as një partizan të thjeshtë sepse i mbronte populli. Nisur nga ky fakt, çeta filloi e u zgjerua.
Çfarë njësish të tjera do të dilnin nga bërthama e quajtur “Çeta e Pezës”?
Nga një çetë kaloi në Grupin Partizan e Pezës me 5 çeta që vepronin në pesë treva të ndryshme, më pas në batalionin partizan “Peza”. Këto ishin dhe baza e krijimit të Ushtrisë NÇL. Komisari i parë i çetës ishte Vasil Shanto e më pas Kristo Themelko. Mustafa Gjinishti etj.. Batalioni “Peza” shumë shpejt do të bëhej Brigada XXII-S.
Peza u përndoq nga të dy ushtritë pushtuese. Sa dëme pati ajo?
Efektivisht Peza u dogj tre herë rrafsh. Më 13 qershor deri në 18 qershor ‘43 forcat fashiste italiane prej 14 mijë vetësh të pajisur me artileri tanke e aviacion sulmuan Pezën. Lufta ishte e ashpër, e megjithatë nga armiku pati 300 të vrarë dhe 500 të plagosur. Ndërmjet tyre dhe koloneli Ludoviko Bartelomeo. Nga humbjet e mëdha që patën fashistët dogjën dhe grabitën gjithçka në Pezë. Nga ana e partizanëve ranë dëshmorë 26 vetë, prej tyre 12 ishin gra. Peza ka 327 dëshmorë, pa përmendur këtu dhe shumë të tjerë që nuk ishin nga treva, por që ranë duke luftuar në radhët e njësisë së saj.
Pas gjithë kësaj lufte, sa njihet krahina e Pezës nga institucionet ndërkombëtare?
Për nga kontributi që ka Çeta dhe krahina e Pezës, Unioni Botëror i Krahinave Martire dhe i Paqes të Luftës së Dytë Botërore e ka zgjedhur atë anëtare me të drejta të plota dhe zona e Pezës është shpallur “Zonë Martire”.
PEZA
Vendi që i dha Shqipërisë 327 dëshmorë
Gjatë rrëfimit të tij për “Telegraf”, ish -partizani 16- vjeçar i çetës së Pezës, Sherbet Karuli thotë: “Pezën e shkelën 75 mijë nazifashistë, të pajisur me artileri tanke e aviacion, të cilën e grabitën Pezën 3 herë radhazi, rreth 700 nazifashistë ranë në kodrat e Pezës dhe shumë të plagosur. Peza i dha atdheut 327 dëshmorë, prej tyre 24 ishin gra dhe vajza me në krye nënën heroinë Mine Peza, pionieri 15 -vjeçar “Heroi i Popullit” Met Hasa, Hasan Çoku , Kajo Karafili, Mihal Duri dhe Maliq Muça e shum te tjere. Mbi bazën e këtij heroizmi masiv të popullit të trevës së Pezës, me urdhër të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë NAÇl në Pezë u krijua Brigada 22 më 18 shtator 1944. Më 4 batalione të grupit partizan të Pezës, i cili luftoi nga Peza deri në Vishegrad të Jugosllavisë duke bërë një rrugë prej 3500 km me temperaturë minus 25 gradë 2 metra dëborë, sidomos në Malin e Zi deri në Vishegrad”